
Me rikthimin te fitorja, te Partizani nisin të shohin me besim drejt zonës europiane. Pas suksesit me Egnatian, të kuqtë duhet të përsëriten edhe këtë të shtunë, në sfidën me Kastriotin. Edhe pse mbajnë vendin e fundit në renditje, krutanët janë të rrezikshëm dhe këtë e treguan me fitoren e javës së kaluar ndaj Teutës.
“Gjithmonë rezultati pozitiv të jep një bonus emocional dhe entuziazëm brenda grupit. Megjithatë, ne duhet të jemi me këmbë në tokë sepse s’kemi bërë asgjë, por thjesht vetëm detyrën. Skuadra është përgatitur me ritmin e duhur dhe e kemi vlerësuar maksimalisht ekipin e Kastriotit sepse edhe ata vijnë nga një fitore e merituar ndaj kampionëve në fuqi Teutës”, tha Dritan Mehmeti, trajner i Partizanit.
Teksa nuk pranoi të flasë për objektiva sezonalë, trajneri u përqendrua te merkato. Nga Kallaku i afruar, te Shkurtaj, objektivi i humbur në afatin e transferimeve.
“Kallaku është një lojtarë cilësitë e të cilit dihen. Mendoj që do të jetë pjesë e formacionit, por ende nuk kemi vendosur. Do të doja të kisha një sulmues Shkurtaj apo dikush tjetër. Na duhet një sulmues që të jetë pikë referimi dhe unë nuk fokusohem shumë te emrat, por te pozicioni, mënyra dhe filozofia që unë kam për ta parë Partizanin aty ku unë dua”, tha Mehmeti. (A2 Televizion)