
Vendi i pestë në renditje, 12 pikë larg kreut dhe me shanse reale më tepër në Kupën e Shqipërisë. Vetëm pak orë pasi shorti përcaktoi që në çerekfinale do të ndeshen me Teutën, Kukësi udhëton në Durrës për sfidën që hap javën e 21-të të kampionatit.
Ndërsa bregdetarët janë në garën për titull, pasi ndajnë vendin e tretë me Laçin, trajneri Josa kërkon nga skuadra e tij, të evitojë gabimet që shkaktuan humbjen me Partizanin.
“Të mos e shohim më ndeshjen me Partizanin, pasi këtu çedojmë pak në anën psikologjike. Duhet të kërkojmë vetëm të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje. Kemi treguar se pas një ndeshje të mirë, kemi luajtur dobët dhe më pas jemi përmirësuar. Më intereson shumë që gabimet e një ndeshje të mos i përsërisim në ndeshjen tjetër ose të bëjmë më pak.”, u shpreh Mirel Josa, trajner i Kukësit.
Ndeshjet e tjera të Superiores luhen këtë të shtunë, me dy duele të tjera të mëdha. Në Shkodër zhvillohet “Klasikja”, Vllaznia-Tirana, por edhe sfida direkte ndërmjet Partizanit dhe Laçit. (A2 Televizion)