
Mungesa e provave të sjella nga policia ka bërë që SPAK të kërkojë arrest shtëpie për Selim Çekajn, babain e Arbër Çekajt. Pas shpalljes së moskompetencës nga ana e prokurorisë së Durrësit për gjetjen e 49 kilogramëve kokainë, Prokuroria e Posaçme ka shqyrtuar dosjen dhe ka kërkuar arrest shtëpie për 72-vjeçarin, i cili akuzohet për grup të strukturuar kriminal.
Ashtu si edhe i biri, Selimi ndoqi të njëjtën rrugë dhe skemë për të fshehur kokainën. Sasia e drogës ishte futur në pjesët metalike të një kontejneri, i cili ishte nisur nga porti i Guajakilit në Ekuador, kishte bërë një ndalesë në Turqi dhe destinacioni final ishte Porti i Durrësit. Ngarkesa kishte dy ditë në port, por pas dyshimeve autoritetet portuale së bashku me policinë gjetën kokainën në pjesën fundore të kontejnerit.
Vetë porositësi i bananeve dhe kokainës, Selim Çekaj refuzoi që të ushtrohet kontroll i kontejnerit dhe kërkoi që ta çojë në magazinën e kompanisë së tij, Ecoalmax, në Maminas. Magazina është e njëjta që ka qenë në përdorim edhe nga kompania në pronësi të djalit të tij, Arbër Garden, brenda së cilës në shkurt të 2018, u gjetën 613 kilogramët e kokainës.
Për këtë sasi droge, që vinte nga Ekuadori, në pranga ranë shoferi i kamionit të kompanisë së Arbër Çekajt, Armando Pezaku dhe menaxheri Donaldo Lushaj. Për Çekajn, prokuroria fillimisht kërkoi 21 vite burg, por pas gjykimit të shkurtuar, u dënua me 14 vite heqje lirie. (A2 Televizion)