Kosova lehtëson kufizimet, hapen bare e restorante, rinis mësimi në klasa

Nga A2 CNN
19 Prill 2021, 11:29 | Kosova
Kosova lehtëson kufizimet, hapen bare e restorante, rinis mësimi

Kosova lehtëson masat kundër koronavirusit, më pak se dy javë pas vendosjes së tyre, me qëllim frenimin e infektimeve.

Me vendim të qeverisë, që nis të zbatohet nga kjo e hënë, kufizimi i lëvizjeve do të nisë nga ora 22:30 e mbrëmjes dhe insitucionet arsimore publike e private të të gjitha niveleve do të zhvillojnë mësimin me prani fizike.

Do të rihapin gjithashtu dyert edhe baret, restorantet dhe qendrat tregtare, por duke respektuar masat anti-covid. Sa i përket ardhjeve nga jashtë, do të vijojë të jetë në fuqi masa që detyron udhëtarët nga shtetet me rrezikshmeri të lartë të paraqesin testin për koronavirusin.

Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për atë që është konsideruar mbyllje e pjesshme nga data 7 deri më 18 të këtij muaji. Masat kishin për qëllim luftimin e pandemisë, pas rritjes së numrit të të infektuarve nga muaji mars.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24 000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX të OBSH-së. Vendi ka thënë se do të pranojë edhe 76 800 doza të tjera të vaksinës së AstraZeneca-s në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100 000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos