
Përkujtimi i të rënëve për liri bëri sërish bashkë 3 krerët institucionalë të Kosovës. Presidentja, Vjosa Osmani, kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Ata rikujtuan trimërinë dhe sakrificat e të rënëve për liri dhe theksuan se për veprat e tyre duhet t’iu flitet gjeneratave të reja të vendit.
“Ne kthehemi e rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata dhe t’ia përkujtojmë vetes çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot. Por në të njëjtën për të përkujtuar amanetet dhe idealet e tyre që të vazhdojmë për progres, barazi dhe mirëqenie”, deklaroi kryeministri kosovar.
Homazhet i vazhduan edhe tek shtatorja e heroit, Zahir Pajaziti, si dhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Makoc. Presidentja Osmani dhe kryeparlamentari rikujtuan edhe njëherë nevojën që kriminelët serbë të dënohen për krimet që kanë bërë në Kosovë.
Për presidenten Vjosa Osmani, “edhe sot nga këtu të gjithë së bashku e ngremë zërin në kërkesën tonë të drejtë, në kërkesën tonë për drejtësi të viktimave të gjenocidit, sepse ndërgjegjja jonë si popull asnjëherë nuk do të jetë e qetë përderisa nuk do të ketë drejtësi për secilën nga viktimat e luftës në Kosovë”.
“Është përgjegjësi e çdo përfaqësuesi institucional të republikës sonë që të bëjë çdo gjë që është e mundur ashtu që drejtësia të vihet në vend. Meqenëse as këta martirë nuk mund të prehën të qetë, e as zemrat e familjarëve që i dhanë më të dashurit e tyre të jenë të qeta përderisa kriminelët të mos e vuajnë dënimin tyre për gjitha këto krime të gjenocidit që kanë kryer në Kosovë”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, familjarët e të rënëve për liri kërkuan rregullimin e varreve të dëshmorëve dhe kjo të mos mbesë njësoj si vitet e kaluara, vetëm premtim qeveritar. (A2 Televizion)