
Duke nisur nga mesi i shtatorit, punonjësit e Policisë së Shtetit do të mund të marrin kredi me interes zero. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi për mediat se kushtet për t’u trajtuar me këtë kredi janë që të mos kesh banesë tjetër në pronësi dhe të jesh deri në 40 vjeç.
Po ashtu, Balla bëri të ditur se për punonjësit e Gardës së Republikës, që për shkak të detyrës detyrohen të ndryshojnë qytetin ku jetojnë, do të mbulohen shpenzimet e qirasë.
Sipas tij, janë 900 punonjës të policisë që kanë problematika me strehimin.
“100 familjet e para mund t’i sigurojmë deri në fund të vitit 2023. Në vitin 2024, 300 familje të tjera dhe në 2025 shpresojmë të përmbyllet e gjitha fasha.”
Balla bëri po ashtu të ditur se së shpejti do të aplikohet një paketë e re sigurie në shkolla. (A2 Televizion)