Krimi në familje, 12 viktima nga janari deri në korrik

Nga A2 CNN
29 Korrik 2021, 15:50 | Kronikë
Krimi në familje, 12 viktima nga janari deri në korrik

Krimi në familje i ka marrë jetën 12 personave 7-mujorin e vitit 2021. Edhe pse masat e kodit penal janë ashpërsuar në dënime, sërish krimet më të rënda, ato brenda familjes, vijojnë të rriten në numra.

I fundit u regjistrua në Bulqizë ku 47-vjeçari Ylber Lezi u gjet i pajetë në banesë, ndërsa autorë dyshohen bashkëshortja dhe vajza e tij.

Më 1 janar Vladimir Zvezhda u qëllua për vdekje me thikë nga kunati i tij në Tiranë. Në mars u vra Dhori Rrapi nga djali i tij 25-vjeçar, i cili e qëlloi në kokë me shkop, duke e lënë të vdekur në vend.

Muaji prill ishte më i përgjakshmi ku 3 persona humbën jetën nga krimet në familje. Në Kavajë, Fëllënxa Shirja u vra nga bashhkëshorti i cili i vuri flakën 52-vjeçares brenda në automjet e më pas kreu vetëvrasje pak metra më tutje në një zonë të fshatit Kryemëdhenj. Policia dyshoi se krimi erdhi si pasojë e xhelozisë së Bilbil Shirjas. Në Dibër Miranda Markja qëlloi me thikë për vdekje vjehrrën e saj ndërsa fshehu trupin e Nazmije Markjes për të humbur gjurmët.

Në fillim maji, ish-polici Koço Buzo qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të gruas së tij duke e lënë të vdekur. Ngjarja ndodhi pranë gjykatës së Elbasanit aty ku do të zhvillohej seanca e divorcit të tyre ndërsa nga të shtënat u plagosën dhe dy persona të tjerë.

E njëjta histori  u ripërsërit në Tiranë më 6 qershor, por seancat gjyqësore të divorcit përfunduan në vrasjen e dhëndrit nga ana e vjehrrit. Kudret Saliaj mbeti i vdekur nga të shtënat e pistoletës së Mexhit Picarit, ndërsa në vendngjarje u plagos dhe ish-prokurori Adriatik Cama. Dy ditë më pas, Diana Vukaj u ekzekutua nga vëllai brenda në banesë ndërsa brenda 24 orëve një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Librazhdin ku Lumturie Bici u vra nga bashkëshorti.

Më 5 korrik Klarita Ismailaj ishte viktima e radhës e krimit në familje kur bashkëshorti e qëlloi për vdekje me thikë. Edhe pse ata jetonin në Tiranë, Artan Ismailaj udhëtoi me Klaritën deri në afërsi të fshatit Bubq aty ku dhe e qëlloi me thikë. Dyshohet se shkak i vrasjes u bë xhelozia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos