
Tre persona janë arrestuar nga policia e Kukësit, pasi akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “Kepi” çoi në pranga kryeplakun e fshatit Gurë- Kalis, djalin dhe vëllain e tij, si autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Në gjendje të lirë është proceduar inspektori i pyjeve, për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.
“Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit, M. M., 50 vjeç, kryeplak i fshatit Gurë-Kalis, E. M, 24 vjeç, dhe U. M., 38 vjeç ( person me precedent penal), banues në Gurë-Kalis, Kukës.
Në vendin e quajtur “Kepi i kishës”, këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kishin kultivuar bimë narkotike, të cilat u asgjësuan me anë të djegies dhe disa fidanë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë inspektori i Pyjeve, shtetasi I. P., për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit””, thuhet në njoftimin e Policisë. (A2 Televizion)