
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike.”
Ishte kjo përgjigjja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj kërkesës së ambasadorit amerikan Philip Kosnet, për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai shtoi se vendi e ka një bashkësi komunash, i cili është funksional.
“Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacioni mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 23 dhjetor të vitit 2015.”
Kurti shtoi se mbështet të drejtat e pakicave, por kërkesat e fundit nuk i përkasin popullit.
“Kërkesa për asociacion etnik e cila ka tash e gati një dekadë që mbahet aktuale nuk më duket që vjen nga njerëzit e thjeshtë. Por nga politikanët e fqinjët tonë veriorë.”
Gjatë së mërkurës, ambasadori amerikan tha se Kosova e ka detyrim të respektojë marrëveshjet dhe zotimet që ka me shtetet e tjera, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Reagimi i Kurtit erdhi gjatë një eventi për shënimin e datëlindjes së heroit, Ukshin Hoti. (A2 Televizion)