
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk do të jenë njësoj si në të kaluarën dhe se në thelbin e tyre duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Këto komente, Kurti i bëri pas një darke pune në Bruksel të organizuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Jose Borrel, me udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Do të jetë diku rreth mesit të qershorit. Do të jetë takim për të diskutuar se si do të vazhdohet me dialogun, me çfarë agjende. Kemi nevoje të dakordohemi për procesin përpara, nuk mund të vazhdojmë si në vitet e kaluara dhe me qeveritë e kaluara, duam dialog me parime dhe të përgatitur mirë”, u shpreh Albin Kurti.
Ndërkaq, liberalizimi i vizave ishte nje tjetër çështje e rëndësishme, në të cilën u fokusua Kurti gjatë takimit në Bruksel.
"Ne kemi nevojë për liberalizimin e vizave. Vendi ynë është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që ka një regjim vizash dhe kjo është një pengesë e madhe për të rinjtë e talentuar që duan të studiojnë apo zhvillojnë biznes.’’
Ndërkaq, i zoti i shtëpisë, Jose Borrel tha se takimi joformal, ishte në funksion të diskutimeve rreth sfidave me të cilat përballet rajoni, që sipas tij “ka rëndësi strategjike për gjithë Bashkimin Evropian”.
"U dakordësuam të rrisim angazhimin tonë në rajon. Përkushtimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është i padiskutueshëm, por duhet ta bëjmë të dukshëm. Angazhimi ynë politik shkon përtej zgjerimit." (A2 Televizion)