Kushtetuesja rrëzon PD për portin e Durrësit, asnjë pengesë për projektin e marinës

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 16:43 | Politikë
Kushtetuesja rrëzon PD për portin e Durrësit, asnjë

Me një vendim të marrë këtë të premte, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e paraqitur nga disa deputetë të opozitës, ku kërkohej shfuqizimi i marrëveshjes që Shqipëria ka me Emiratet e Bashkuara.

Kjo marrëveshje konsiderohej si baza ligjore që i hapte rrugë projektit të portit turistik “Durrës Yacht & Marina”.

Në padinë me 40 faqe të 37 deputetëve të PD dhe partive të tjera opozitare nënvizohej se kërkohet shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare i ligjit ratifikues mbi marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ku përfshihet edhe zhvillimi i Portit të Durrësit.

Siç e kishim premtuar PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër mega-aferës korruptive, për marrëveshjen për Portin të Durrësit. Një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjik por me kompani offshore, pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese, shpresojmë që Gjykata do qëndrojë në nivelin që pritet dhe të bëjë detyrën e saj”, tha deputeti i PD Oerd Bylykbashi më 11 Nëntor të vitit të shkuar kur depozitoi kërkesë në GJK.

Grupi i deputetëve kërkonte po ashtu që të pezullohej zbatimi i ligjit deri në hyrjen në fuqi të një vendimi përfundimtar të Kushtetueses, pasi sipas tyre është i papajtueshëm me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë.

Procedura e ndjekur sa i takon negocimit, nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes, vjen në kundërshtim me Konventën e Vjenës të vitit 1969 “Për të drejtën e traktateve”, si dhe legjislacionin e brendshëm në Shqipëri “Për Marrëveshjet ndërkombëtare”, thuhej në padinë e depozituar në GJK.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me nr. 7 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 145/2020, datë 02.12.2020, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52, 52/a dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

A2 CNN Livestream

Latest Videos