
Pasi Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ka ardhur reagimi i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi.
“Asgjë e re nga fronti i Ramaformës! Presidenti Meta vazhdon vizitën në Paris dhe kur të kthehet në Shqipëri do të ndajë vlerësimet e Tij me qytetarët shqiptarë”, shkruan Blushi në Facebook.
Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji janë dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushteutese të zgjedhura nga Parlamenti. Me votim të fshehtë, Toska mori 105 vota pro, nga 84 që i duheshin, po aq sa edhe Papajorgji.
Në listën e dërguar nga KED është edhe emri i Arta Vorpsit, por pas mbledhjes së këshillit të legjislacionit u vendos që ajo të konsiderohet si e emëruar në Gjykatën Kushtetuese nga lista e Presidentit Meta, edhe pse ky i fundit nuk e zgjodhi atë, duke pezulluar procesin.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se sipas KED, duke mos u shprehur Presidenti, Vorpsi është automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. “Këshilli doli në përfundimin që procedura është plotësisht kushtetuese”, tha ai para votimit. (A2 Televizion)