Liga Profesioniste e Futbollit i ka dërguar një letër zyrtare deputetit Fidel Ylli ku i bën të ditur se vlerëson si një hap pozitiv takimin e kreut të FSHF, Duka, me kryeministrin Rama, ndërsa theksohet se pret një përgjigje pozitive nga qeveria deri ditën e enjte.
Në rast të kundërt, Liga bën të ditur se do të vendoset për hapat e mëtejshëm lidhur me bojkotin e kampionatit.
“Në takimin e sotëm, Liga Profesioniste e Futbollit vlerësoi si një hap pozitiv takimin e Presidentit të FSHF, Duka, me kryeministrin Rama, lidhur me kërkesat e saj drejtuar qeverisë.
Jemi në pritje, bazuar në rolin tuaj negociator, për një përgjigje zyrtare nga ana e qeverisë, e cila është e mirëpritur nëse vjen dhe nëpërmjet jush.
Anëtarët e Ligës ranë dakord që të presin një përgjigje pozitive nga qeveria ose ju, deri ditën e enjte dhe më pas do të vendoset për hapat e mëtejshëm lidhur me bojkotin e kampionatit.
Ne e vlerësojmë kontributin tuaj për zgjidhjen e situatës duke ndikuar në dhënien e një përgjigje për kërkesat tona sa më shpejt”, shkruhet në letrën e Ligës Profesioniste të Futbollit drejtuar deputetit Fidel Ylli. (A2 Televizion)
