
Ministria e Jashtme greke përmes një deklarate zyrtare ka sulmuar ashpër miratimin nga ana e Kuvendit shqiptar të ligjit për pronat.
Sipas Athinës zyrtare, ligji i sapo miratuar është një “mundësi e munguar për të zgjidhur një problem që shqetëson qytetarët shqiptarë, duke përfshirë minoritetin grek”.
Sipas deklaratës Shqipëria ka vendosur të zbatojë “në mënyrë të përciptë, opinionin e Komisionit të Venecias së 14 tetorit të kaluar, që cilësonte projektligjin si të papërputhshëm me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
Greqia pohon se nga ajo kohë janë bërë disa ndryshime pozitive “ të minutave të fundit”, por që pritet nga Shqipëria një mbrojtje efektive e të drejtës së pronës, duke i kujtuar Tiranës se kjo çështje është një test në vendimmarrjen për negociatat për anëtarësim. (A2 Televizion)