
I ashpër ka qenë ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani në Absolut 4 ndaj kryetarit të partisë, Lulzim Basha.
Ristani tregon se në mbledhjen e fundit të Kryesisë, kandidatët e tjerë kërkuan që disa takime të organizohen në formë debati, por kjo gjë u refuzua.
“Disa nga kandidatët kërkuan në mbledhjen e Kryesisë që të paktën në 4 qarqe kandidatët të ishin bashkë dhe të zhvillonin garën përballë anëtarësisë bashkë, duke e kthyer në një debat, në mënyrë që edhe votuesi t’i kishte përballë dhe të shikonte diferencat e tyre. Basha nuk i ka qejf përballjet dhe nuk pati një argument të qenësishëm për ta rrëzuar kërkesën. Kjo kërkesë u bë dhe nga Zonja Harxhi. Njësoj si Basha i kërkonte Ramës një debat përpara zgjedhjeve. Ky është paradoksi”, tha ish-sekretari i PD.
Më tej, Arben Ristani tha se strukturat aktuale të partisë janë nën varësinë e kryetarit aktual. Ai përmendi zgjedhjet e fundit në PD, ku sipas tij pati dhe raste të manipulimit të rezultatit. Ristani e akuzoi Bashën se po sillet si autokrat dhe jo si demokrat.
“Strukturat janë nën varësinë e kryetarit dhe një pjesë e nënkryetarëve janë të emëruar. Kështu që vendosen në vështirësi t’i përgjigjen kandidatëve të tjerë. Madje në zgjedhjet e kaluara ka pasur edhe vështirësi apo manipulim në rezultatet e votimit. Nëse ecim në këtë mënyrë shqiptarët ndjehen të degustuar me këtë lloj politike dhe i fusin të gjithë në një thes, ndjehen të papërfaqësuar. Duhet të japim një shembull të mirë. Për fat të keq na ka zënë rrugën ky kryetar që kemi që nuk po sillet si demokrat, por si autokrat”, përfundoi Ristani. (A2 Televizion)