Policia e Tiranës ka sekuestruar një sasi të madhe, rreth 12 metër kub, fishekzjarrë të madhësive dhe formave të ndryshme, duke arrestuar zotëruesin dhe duke proceduar penalisht pronaren e subjektit që kishte i vënë në dispozicion ambientin për magazinimin e tyre.
Fishekzjarret, e futura kontrabandë nga Kosova, ishin magazinuar në një ambient te tregu ushqimor në Qytetin e Nxënësve, jashtë çdo kushti të sigurisë teknike. Pronari i arrestuar, një 36-vjeçar me inicalet V.M. i kishte fshehur fishekzjarrët duke i futur në ambalazhe ushqimore.
Sipas Policisë së kryeqytetit, vetëm javën e fundit në të gjithë vendin janë kontrolluar 378 subjekte (dyqane të ndryshme, makete apo supermarkete), si dhe tregje të shumicës, për të shmangur tregtimin e fishekzjarrëve. (A2 Televizion)