Emergjencat Civile në vend vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore e infrastrukturore, strategjia dhe koordinimi duke vënë seriozisht në pikëpyetje aftësinë e agjencisë për mbrojtjen e popullatës. Në këtë përfundimi arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit pas monitorimit në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ku nënvizon se shumica e mangësive vijojnë prej vitesh.
“Është keqardhje e madhe që ne as nuk dimë të mësojmë as nuk duam të reflektojmë mbi problemet e kaluara, që situatat të na gjejnë më të përgatitur”, thotë Abdulla Diku, ekspert pyjor.
KLSH akuzon se për shkak të keq-menaxhimit të flotës së helikopterëve, sipërfaqe të tëra janë djegur, ndërsa buxheti i shtetit është dëmtuara nga marrja me qira e mjeteve fluturuese për shuarjen e zjarreve.

“Në rastin e Sazanit, mjeti erdhi nga Greqia sepse mjetet tona i kemi në inventar, por jo atëherë kur na duhen. Ose janë në riparim, ose jashtë shërbimit”, shton eksperti.
Në raportin e auditit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre shqetësimin për shtimin e detyrimeve të prapambetura që bashkitë kanë nga njëra anë, e mungesa e inventarizimimit të dëmeve reale nga ana tjetër si pasojë e përmbytjeve dhe e zjarreve.
Me gjithë shtimin e fondeve në drejtim të emergjencave Civile, KLSH vlerëson se fondet në dispozicion të 61 bashkive shpeshherë janë të pamjaftueshme për të garantuar mbrojtjen civile.

“Bashkitë vetë nuk arrijnë të zbatojnë kuadrin ligjor, nuk ndihen rehat të zbatojnë VKM-në për emergjencat civile”, thotë për A2 CNN Merita Toska, eksperte për financat vendore.
Në raportin e KLSH thuhet gjithashtu se Mbrojtja Civile nuk garanton paralajmërimin e ë hershëm ndaj rreziqeve, ndërsa një pjesë e mirë e automjeteve zjarrfikëse janë të prodhuara në vitet ’60. (A2 Televizion)