
Deputetja Rudina Hajdari ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit se është kërcënuar në zyrën e saj.
Ajo i bëri thirrje kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi që të sigurojë ambientet e Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit.
“Nuk mund të ndodhë në vitin 2019 që deputetët të kërcënohen, e papranueshme që të kërcënohet një femër. Ka patur raste në zyrën time që kanë hyrë persona dhe më kanë kërcënuar. Ju lutem, zoti kryetar, merrni masat përpara se të kemi ndonjë viktimë në Parlament. Asnjë deputet të mos hyjë pa u kontrolluar dhe të mos lejohen të hyjnë deputetë me njerëz të tjerë dhe të shantazhojnë kolegët”, tha Hajdari.
Gramoz Ruçi i ktheu këtë përgjigje deputetes Hajdari: “Kërkesën tuaj e kam adresuar, u kam kërkuar punonjësve të shërbimit që brenda sallës së Kuvendit të bëjnë detyrën. Kërkesa duhet t’i ketë shkuar ministres së Brendshme që të merren masa”.
Ndërkohë, për A2, deputeti Halit Valteri deklaroi se kërcënimi ka ndodhur para dy javësh, por nuk pranoi të komentonte më tej mbi këtë ngjarje. (A2 Televizion)