“Më në fund do të fillojmë të thërresim dëshmitarë”. Rama, Ahmetaj dhe Gjiknuri konfirmojnë pjesëmarrjen në Komisionin për inceneratorët

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2022, 13:25 | Politikë
“Më në fund do të fillojmë të thërresim

Kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe drejtues të tjerë të lartë do të dëshmojnë në ditët në vijim në Komisionin Hetimor për inceneratorët. Në mbledhjen e së hënës, anëtarët e komisionit miratuan pas 3 muajsh planin e hetimit, i cili parashikon thirrjen e 28 dëshmitarëve, brenda 25 shkurtit.

“Të gjithë anëtarët kanë marrë planin e hetimit, fillon të nesërmen dhe përfundon më 25 shkurt. Nesër do të bëjmë një seancë për të prezantuar dosjen e Fierit dhe pas seancës anëtarët kush ka dëshirë të shkojë ta vizitojë inceneratorin e Fierit. Thirrja e dëshmitarëve do të fillojë më 14 shkurt deri më 18 shkurt. Nga 21-23 shkurti do të thërriten për të dëshmuar Edi Rama, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi”, tha kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku. “Me kënaqësi po them që mbas tre muajsh do të fillojmë të thërresim dëshmitarë për çështjen e inceneratorëve”.

Tabaku tha në një konferencë për mediat se Edi Rama, Ahmetaj dhe Gjiknuri kanë konfirmuar pjesëmarrjen. “Ju keni qenë të gjithë prezent dhe dëshmitarë për bllokimin që ka pasur ky Komision Hetimor. Nuk kam dëshirë fare as të ankohem, as të qahem dhe të them që nuk më kanë nisur këtë shkresë dhe atë shkresë se unë në burime zyrtare dhe jozyrtare kam arritur që t’i marr shkresat. Por ju keni reflektuar qartësi që pjesa më e madhe e institucioneve nuk kanë kthyer përgjigje dhe nuk e kanë kryer detyrimin e tyre ligjor. Pavarësisht kësaj, kjo nuk na pengon asnjërin nga ne të vazhdojmë me planin e hetimit. Komisioni i Inceneratorëve një fitore të vogël e ka. Sot Lefter Koka është në burg”, tha Tabaku në një konferencë për mediat në përfundim të mbledhjes së komisionit.

Për procedurat e tenderit në përzgjedhjen e kompanisë fituese për inceneratorin e Fierit, është arrestuar me urdhër të SPAK, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, si dhe janë shpallur në kërkim dy administratorët e kompanisë, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos