
Një memorandum për rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë është nënshkruar mes dy dhomave ekonomike të grave të të dyja vendeve. Botuesja Irena Toçi deklaroi në studion e "Ditarit" në A2 CNN se ky memorandum synon rritjen ekonomike dhe zgjerimin e tregjeve. Sipas saj, të dyja palët do të bëjnë presionin e duhur në institucionet vendimmarrëse që çdo gjë që premtohet të zbatohet.
“Ne arritëm të bëjmë një aktivitet mes dy dhomave ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës që ka emër G7, Antonela Hako dhe Linda Shala, të dyja nënshkruan memorandumin që ishte ndërtuar në bazë të nevojave për rritjen e bashkëpunimit në bizneset që drejtohen nga gratë. Po bëhet një lëvizje shumë e madhe në Ballkanin Perëndimor për të rritur tregjet dhe për të bërë më të lehtë lëvizjen për të intensifikuar rritjen ekonomike dhe zgjerimin e tregjeve ekonomike. Mendojmë që duke qenë dy grupime të fuqishme të dyja palët do të bëjmë presionin e duhur në institucionet vendimmarrëse që çdo gjë që premtohet, të zbatohet”.
Toçi thekson se këto projekte të përbashkëta kanë për qëllimin fuqizimin e gruas, ndërkohë që njoftoi edhe mbajtjen e një konference të përbashkët në Prishtinë në shtator, me objekt zhvillimin e ideve.
“Bizneset tona të kishin një treg të lirë pa taksa me ndërmjetësimin e shteteve. Në Kosovë gjejmë mbështetje tek ambasadori ynë. Duhet që të pranojmë njëri-tjetrin. Takimet tona kanë qenë intensive. Projekte të përbashkëta për fuqizimin e gruas për ta bërë më të pavarur dhe më të suksesshme. Në tremujorin e ardhshëm takimet do të realizohen në Kosovë e Shqipëri. Konferencë e madhe në Prishtinë në shtator që do të ketë objekt zhvillimin e ideve”.
Sipas sipërmarrëses, nxitja e start-up-ve për gratë e reja është një përpjekje pasi ekzistojnë mbështetje të ndryshme ekonomike.
Toçi vlerëson modelet e grave kosovare në biznes. Sipas saj, Kosova ka më shumë gra sipërmarrëse në biznese të mëdha edhe për shkak të traditës.
“Rreth 15% e anëtarësisë së saj janë të mëdha, të tjerat biznese të mesme e të vogla. Në Kosovë, biznesi i madh zë përqindje më të madhe dhe gratë e fuqishme janë më të shumta në numër se në Shqipëri. Modelet e Kosovës janë shumë pozitive dhe për shkak të traditës që Kosova ka, se ka qenë vend i hapur në sipërmarrjet ekonomike. Në Shqipëri është traditë më e re”. (A2 Televizion)