Ndryshimi i katërt në buxhet, qeveria rrit deficitin në 982 milionë euro

Nga A2 CNN
24 Qershor 2021, 13:40 | Ekonomi
Ndryshimi i katërt në buxhet, qeveria rrit deficitin në 982

Qeveria ka ndryshuar për herë të katërt këtë vit Buxhetin e Shtetit, duke bërë ndryshime drastike në thuajse çdo zë të parashikuar më parë. Përmes një akti normativ, që hyn në fuqi menjëherë, por duhet të miratohet nga Kuvendi përpara mbylljes së këtij legjislacioni, qeveria vendosi të rrisë ndjeshëm shpenzimet e planifikuara.

Janë 11,8 miliardë lekë shtesë, apo rreth 96 milionë euro më shumë për t’u shpenzuar këtë vit, pavarësisht rekomandimit të FMN të vetëm pak ditëve më parë për të shmangur diçka të tillë. Nga krahasimi i zërave specifikë, rezulton se fondet për rrugët kanë pësuar rritjen më të madhe, me mbi 5,5 miliardë lekë. Ndjekur nga ujësjellës-kanalizimet me 1,5 miliardë lekë dhe platforma e e-Qeverisjes me 1,1 miliardë lekë. Po ashtu, 978 milionë lekë më shumë shkojnë si mbështetje për bujqësinë dhe 900 milionë lekë i transferohen Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar.

Në kurriz të këtyre shpenzimeve, pakësohen fondet për zëra të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia. Kujdesit parësor shëndetësor i hiqen 1,3 miliardë lekë, ndërsa arsimit bazë i hiqen 1 miliardë lekë, arsimit të mesëm 500 milionë lekë dhe arsimit profesional 290 milionë lekë.

Por, ka edhe zëra si emergjencat civile, që i pakësohen fondet pavarësisht detyrimeve të prapambetura në vite.

Fonde u hiqen edhe thuajse të gjitha institucioneve të drejtësisë në vend: si KLGJ, KLP, SPAK, Gjykatës Kushtetuese, Shkollës së Magjistraturës dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Me këto ndryshime, deficiti buxhetor tejkalon 120 miliardë lekë, apo 982 milionë euro dhe pesha e borxhit të jashtëm rritet më tej, duke shtuar rreziqet që i kanosen buxhetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos