
Seanca e fundit stërvitore e skuadrës së Malagas, kishte një mungesë të rëndësishme, atë të Keidi Bares.
Mesfushori i përfaqësues shqiptare nuk u stërvit me grupin dhe ndoshta nuk do të stërvitet më pasi 23-vjeçari po finalizon transferimin e tij te rivalët e Espanyol.
Mediat në Spanjë bëjnë me dije se Bare është përshëndetur me skuadrën dhe do të udhëtojë drejt Barcelonës për të mbyllur marrëveshjen me Espanyol. Klubi katalanas ka qenë në ndjekje të futbollistit shqiptar prej javësh, por problemet në regjistrimin e lojtarëve vonuan finalizimin e akordit.
Espanyol do të derdhë 2 milionë euro në arkat e Malagas, ndërsa 1 milion euro të tjera do të depozitohen në varësi të kushteve që palët kanë përcaktuar në marrëveshje.
Për këtë klubi po punon për shitjet e disa futbollistëve në mënyrë që të gjenerojë të ardhura pasi deri më tani nuk ka larguar asnjë lojtar. Keidi Bare do të firmosë për 4 vite me Espanyol që synon rikthimin në La Liga prej sezonit të ardhshëm. (A2 Televizion)