
Presidenti i Republikës ka paralajmëruar se sot do të bëjë kallëzim penal dhe do të publikojë një video me të cilën do të përpiqet të provojë akuzat e tij ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Kreu i Shtetit akuzon Dvoranin se ka shkelur Kushtetutën me dërgimin e të dyja listave për plotësimin e njëkohshëm të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në një tjetër reagim gjatë fundjavës, Meta e quajti Dvoranin “Katica jonë e Reformës në Drejtësi”, duke hequr kështu paralele me ish-prokuroren speciale të Maqedonisë se Veriut, Katica Janeva, e cila u detyrua të jepte dorëheqjen pas përgjimeve komprometuese.
Kjo nuk është e vetmja lëvizje që ka paralajmëruar kreu i shtetit, pasi ka bërë të ditur gjatë fundjavës planet për takime me shoqërinë civile, si dhe opozitën, parlamentare dhe atë jashtë parlamentare.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij. Burime nga Presidenca dhe selia blu konfirmuan se takimi mes Presidentit dhe kreut demokrat do të zhvillohet të martën në orën 09:00. (A2 Televizion)