Miqësore me 7 gola, Partizani gati për rikthimin e bujshëm në janar

Nga A2 CNN
9 Janar 2023, 13:09 | Futboll
Miqësore me 7 gola, Partizani gati për rikthimin e bujshëm

Kjo fundjavë i ka shërbyer Partizanit për të zhvilluar dhe një test përpara rinisjes së kampionatit, të cilin të kuqtë e kaluan mjaft mirë.

Skuadra e Kolelës fitoi me rezultatin e thellë 6-1 në miqësoren kundër Luzit 2008. Që në fillim, kryeqytetasit nuk patën mëshirë teksa shënuan me Mensah.

Pas tij, radha ishte e Hotit që shënoi dhe mbylli pjesën e parë me rezultatin 2-0. Edhe në fraksionin e dytë nuk kishte surpriza. Mensah shënoi dhe dy herë të tjera duke kompletuar tripletën e tij.

Pas tij, Hoti shënoi dhe golin e pestë, ndërsa Zekolli mbylli gjithçka me rezultatin 6-1.

Një provë e mirë kjo për të kuqtë që këtë të premte përballen me Vllazninë në shtëpi në Superligë.

Megjithatë, drejtuesit e kuq përveç ndeshjes me shkodranët po mendojnë dhe për afrimet e janarit ku në lajmet e fundit po qarkullon një rikthim i Lorenc Trashit.

Pas afro 2 vitesh e gjysmë, futbollisti nga Gramshi nuk është më pjesë e Al Kadsia në kampionatin e Kuvajtit. Trashi falënderoi me anë të një postimi presidentin dhe stafin e klubit në Kuvajt ndërsa nuk preferoi të tregonte asgjë lidhur me të ardhmen e tij.

Aktualisht, ai është një lojtar i lirë dhe me shumë mundësi mund të kemi dhe një rikthim surprizë në Kategorinë Superiore ku Partizani, klubi ku ai qëndroi për 6 vite mbetet skuadra më e avantazhuar për ta rikthyer në Superligë 30-vjeçarin.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos