
Kryeministri Edi Rama tha se me vendimin për mos nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Europian i dha një goditje besueshmërisë së vet.
Duke folur në konferencën mbi Politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor, Rama tha se kjo do të ndikojë edhe në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. “Pas vendimit të Këshillit Europian, pozicioni i Bashkimit Europian në këtë konflikt është dobësuar tej mase dhe kapaciteti për të ndikuar është tkurrur tej mase. Sepse me vendimin e marrë apo me mos vendimin që rezultoi në fund të debati të nxehtë mes veti në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndër të tjera, dhe në radhë të parë mendoj unë, i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vet”, tha Rama.
“Do të jetë e vështirë për të dy palët që të besojnë në mundësinë e incentivave që mund të deklarohen sinqerisht dhe faktikisht edhe mund të mos mbahen. Po bëhet e disata herë për hir të së vërtetës, që BE nuk mban fjalën dhe në rastin e Kosovës kemi një nga shembujt më flagrant të mungesës së kapacitetit për të mbajtur fjalën. Nuk duhet ta harrojmë që nuk është një shtet, një tërësi shtetesh dhe mjafton që njëri të kundërvihet dhe e gjitha vendoset në pozitë të vështirë”.
Gjithsesi Rama tha se në fund të ditës, vendet e rajonit dhe Shqipëria në veçanti, kanë vetëm një drejtim. “Rruga e vetme që ka piketuar historia jonë dhe që është e trashëguar si amanet në gjithë vetëdijen e kombit tonë pavarësisht periudhave të ndryshme historike, rruga drejt Perëndimit, drejt BE, në aleancë strategjike me SHBA dhe BE”. (A2 Televizion)