Moti i keq në jug, alarm SOS për anijet, plagoset vrojtuesi i plazhit

Nga A2 CNN
11 Korrik 2019, 11:43 | Kronikë

Moti i keq ka shkaktuar probleme gjatë 24 orëve të fundit edhe në qytetin bregdetar të Vlorës dhe Sarandë. Kapiteneria ka lëshuar alarmin SOS për anijet e peshkimit, barkat dhe mjetet turistike mesditën e së mërkurës, duke i këshilluar të ankoroheshin në vendstrehime të sigurta.

Situata është përkeqësuar gjatë orëve të mbrëmjes ku stuhia e nisur rreth orës 21:00 përmbyti disa akse të qytetin, mes tyre atë të njohur si “Albano dhe Romina”, në lagjen Pavarësia, por edhe segmente të Bulevardit Vlorë-Skelë. Probleme u konstatuan edhe ne segmentin Orikum-Radhimë ku në disa plazhe u dëmtuan çadrat e shezlonet, ndërsa stuhia u shoqërua edhe me mungesë të energjisë elektrike.

Në Dhërmi e Himarë, stuhia shkaktoi dëmtime në plazhe, hapësira private e publike, kryesisht në njësi që shërbenin si bar-e.

Në Sarandë dëme pati edhe në brendësi të qytetin, kryesisht pemë e tabela reklamuese të rrëzuara, fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz.

Ndërkohë, mëngjesi i sotëm ka qenë i qetë edhe pse mjetet ende nuk janë lejuar të lundrojnë normalisht jashtë gjirit të Vlorës, duke anuluar itinerarin drejt ishullit të Sazanit. Ndërsa një incident është shënuar në Orikum, ku roja bregdetar, vrojtues i një plazhi është dëmtuar në kokë gjatë kohës së sistemimin të dëmeve që la pas stuhia. I riu është transportuar në spitalin rajonal të Vlorës, ku raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos