
Në mungesë të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, protagonist i seancës parlamentare ishte përsëri Sali Berisha.
E nisi nga ambientet e jashtme, ku i ktheu përgjigje kryetarit të PD që e akuzoi për strehim politik nën logon e LSI.
“A mund t’i përgjigjesh një njeriu që në 2 fjalë thotë 3 gënjeshtra? A mund t’i përgjigjesh njeriu që iu servir ju jo 7 x 7=42, po iu servir 1958 për 5004?”, tha Berisha.
Si për të treguar se mazhoranca nuk mban anë në luftën e brendshme brenda Selisë Blu, ishte kreu i grupit parlamentar të PS, i cili vuri shenjën e barazimit duke i cilësuar bashkëpërgjegjës dy pretendentët për lidershipin e PD.
“Luli dhe Saliu të gjitha pisllëqet i kanë bërë bashkë. Të gjitha haqet me drejtësinë i kanë bërë bashkë. Saliu është “non grata”, por pjesë e “non grata” është edhe Luli. Nuk mund të falet Luli fare nga kjo histori që i mori Saliu të gjitha dhe Luli doli pa lagur”, tha Balla.
Kjo nuk e zbuti aspak ofensivën e Sali Berishës që duke risjellë në vëmendje portin e Durrësit, foli gjithashtu për një dyshe të përfshirë, sipas tij, në afera korruptive.
“A e dini ju se kush e kontrollon Portin e Durrësit? Nallbati i Xibrakës. Nallbati i “Hakmarrjes për Drejtësi”, Nallbati i Edvin Drogës dhe Lulzim Bravës që e ka gjysmë-baxhanak të dashur”, shtoi Berisha.
Ministrja Spiropali u detyrua të kundërpërgjigjej, me batuta që zëvendësonin mungesën e thelbit mbi akuzën e ngritur nga kundërshtari.
“I bini derës sonë që të dëgjojë brava juaj. Por as dera jonë nuk ka ndërmend të tundet dhe si duket as brava e tyre nuk ka ndërmend të shembet”, deklaroi Spiropali.
Ndërsa Berisha iu përgjigj. “I them zonjës se recitimet për Skënder-bushin e çojnë më shpejt në doganë sesa analizat bajate politike këtu në parlament”.
Vetëm pasi Berisha u largua, deputeti Salianji u shpreh i bezdisur nga protagonizmi i ish-liderit të tij. (A2 Televizion)