“Në BE nuk është e vështirë vetëm të hysh, por edhe të dalësh”. Felaj krahason hapjen e negociatave me Brexit

Nga A2 CNN
16 Tetor 2019, 13:48 | Politikë
“Në BE nuk është e vështirë vetëm të

Ermonela Felaj, deputete e Partisë Socialiste, deklaroi në studion e Ditari në A2 se “vende të rëndësishme në BE kanë konsiderata të ndryshme në raport me Bashkimin Evropian” dhe për këtë arsye, sipas saj, “jo vetëm hyrja në BE, por edhe dalja nga aty është po aq e vështirë, siç e tregon rasti i Britanisë së Madhe”.

“Kriterin teknik e kemi tejkaluar dhe këtë e ka thënë Komisioni Evropian që ka rekomanduar hapjen pa kushte të negociatave. Mbledhja e djeshme dhe prononcimet e treguan qartë që kjo çështje ka të bëjë me gjeopolitikën. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë ato që janë kërkuar. Ne i kemi bërë detyrat tona”, deklaroi Felaj.

Deputetja socialiste theksoi gjithashtu se një JO për Shqipërinë nuk do të ishte mirë për Ballkanin dhe Evropën: “Siç e tha edhe kryeministri, dielli do të lindë për Shqipërinë të premten dhe ditët në vijim, por nuk do të ishte aspak mirë për të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit që kjo gjë të shtyhej pa fund”.

Në lidhje me shkarkimin e Metës, Felaj u shpreh: “Komisioni i Venecias ka thënë që Presidenti ka ushtruar një kompetencë për të cilën nuk ka një nen në Kushtetutë. Duke vepruar pa bazë ligjore, ka bërë diçka të kundraligjshme. Rruga që duhet të kishte ndjekur është e përshkruar në Kushtetutë, por nuk zgjodhi këtë rrugë dhe veproi jashtë Kushtetutës”.

Felaj shtoi: “Komisioni i Venecias vuri në pah diçka shumë të rëndësishme: që bojkoti i asnjë partie nuk mund të pengojë të drejtën e shtetasve për të zgjedhur”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos