
Parlamenti Europian debaton sonte në mbrëmje mbi një draft-rezolutë për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Grupet më të mëdha politike u bënë bashkë për të kritikuar rezultatin e Këshillit Europian, të cilin e konsiderojnë gabim historik.
Eurodeputetët kërkojnë çeljen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin, ndërsa theksojnë se samiti i 17 dhe 18 tetorit dëmtoi besueshmërinë e politikave të zgjerimit të Bashkimit Europian. Në mocionet e depozituara nga grupet më të rëndësishme të Parlamentit Europian, theksohet se vendimi I Këshillit dobëson praninë e BE-se në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Gjithashtu minon reformat e ndërmarra nga dy vendet kandidate.
Përveç grupimeve kryesore, edhe partitë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe të kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, vlerësuan pozitivisht reformat e ndërmarra nga Tirana dhe Shkupi. Vetëm grupimi i ekstremit të djathtë, i Marin Lë Pen përshëndeti vendimin e Këshillit Europian për mos hapjen e negociatave të anëtarësimit. (A2 Televizion)