Tragjedi Krishtlindjesh për një familje emigrantësh. Një 8 vjeçar nga Guatemala vdiq mëngjesin e 25 dhjetorit ndërsa ishte në ngarkim të mbrojtjes kufitare dhe doganore amerikane.

Felipe Gomez u dërgua në një qendër mjekësore të Nju Meksikos pasi një pjesëtar i sigurisë vuri re se ishte i sëmurë. Stafi mjekësor tha se 8 vjeçari kishte simptomat e ftohjes. Pasi u udhëzua të niste medikamentet djali doli nga spitali, por u rikthyer sërish mbrëmjen e së hënës ku edhe vdiq, disa orë më vonë.
Qeveria e Guatemalës kërkoi nisjen e hetimeve për zbulimin e shkakut të vdekjes. Ai është fëmija i dytë nga Guatemale që vdes në ngarkim të autoriteteve kufitare amerikane. Në 8 dhjetor një 7 vjeçare humbi jetën pas një sëmundje. Trupi i saj u kthye në Guatemala të dielën dhe ditën e Krishtlindjeve familjarët i thanë lamtumirën e fundit.
Ish kandidati për Senatin amerikan nga Teksasi, Beto O’Rourke shprehu shqetësimin për trajtimin e emigrantëve, veçanërisht fëmijëve. “Le të sigurohemi se janë mirë. Të sigurohemi se janë me familjarët e tyre dhe që marrin të gjithë kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ata nuk janë kërcenim për vendin tonë´, u shpreh politikani.
Aktivistë të tjerë në mbështetje të emigrantëve kanë ngritur zërin lidhur me kushtet e këqija në qendrat ku po qëndrojnë emigrantët. (A2 Televizion)