Operacion kundër trafikut të artefakteve, 52 të arrestuar në 28 shtete, mes tyre edhe Shqipëria

Nga A2 CNN
9 Mars 2022, 13:08 | Kronikë

Një operacion ndërkombëtar i Europol, kundër trafikimit të artefakteve ka çuar në arrestimin e 52 personave në 28 shtete, mes tyre edhe në Shqipëri, thotë Europol.

Në total janë sekuestruar 9408 artefakte kulturore në të gjithë botën, thotë Europol. Mes tyre janë objekte arkeologjike, mobilje, monedha, piktura, instrumente muzikore dhe statueta. Operacioni ka zgjatur për katër muaj (qershor-shtator 2021) dhe përveç kontrolleve në aeroporte dhe pika kufitare, janë kryer kërkime në shtëpi ankandesh, muze dhe banesa private.

Europol thotë se vëmendje e veçantë është treguar ndaj tregjeve online, ndërsa 170 procedime penale janë ende të hapura, çka paralajmëron për më shumë sekuestrime dhe arrestime.

Operacioni Pandora VI është udhëhequr nga Guardia Civil e Spanjës. Pjesë më e madhe e artefakteve, 4231, janë sekuestruar nga dogana franceze, ku janë gjetur rreth 3000 monedha të lashta, unaza dhe poçeri të ndryshme, të vjedhura në site arkeologjike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos