
Është zhvilluar këtë të mërkurë, seanca në apel për masat e sigurisë per 42 personat (5 ende në kërkim) e përfshirë në Operacionin ‘Hapësira’ në dhjetor 2020.
Trupa gjykues ka vlerësuar rishikimin e masës së sigurisë për 4 persona nga arrest me burg në arrest shtëpie, mes tyre dhe një efektiv i policisë David Fakaj i dyshuar si i përfshirë drejtpërdrejt në këtë çështje.
Konkretisht ndryshuan masat për David Fakaj, Astrit Gjokaj, Gëzim Kuci dhe Gilo Novruzaj nga arrest me burg në arrest shtëpie. Prokurori ka marrë në konsideratë prova të reja dhe rrethana lehtësuese të dala gjatë vijimit të hetimeve.
Po ashtu, trupa gjykuese ka vlerësuar rrëzimin e masës së sigurisë për ish shefin e komisariatit të Himarës Arjan Tase edhe shefit të krimeve Artur Veshaj. Apeli ka vendosur rrëzimin e mases shtrënguese të detyrimit të paraqitjes, dhe pezullim të ushtrimit të aktiviteteve publike (pezullimit nga detyra).
Më herët gjatë zhvillimit të seancës së vlerësimit të masës së sigurisë në gjykatën e shkallës së parë në fashikujt hetimor nuk ka pasur prova të deritanishme të llojit përgjime ambientale apo telefonike që implikojnë ish shefin e komisariatit të Himarës apo shefin e krimeve. Ata kanë pranuar se territori për shkak edhe të terrenit ka qënë i pamundur të monitorohet në mënyrë të imtësishme gjatë periudhës së verës, kohë kur policia angazhohet edhe me turizmin.
Sakaq, prokurori Kleanthi Zeka vlerësoi lënjen në fuqi të masave të pandryshuara për të gjithë personat e tjerë, për të cilët pavarësisht se mbrojtja kërkoi lehtësim nuk ka pasur asnjë ndryshim të rrethanave.
Seanca ka nisur për më shumë se 6 orë. (A2 Televizion)