Dikur përdorej thjeshtë si një matës i kohës, por sot tregon edhe raportin që çdokush krijon me botën. Ora e dorës, mund të quhet pa diskutim një nga aksesorët më të shtrenjtë, kryesisht për meshkujt të cilët joshen gjithnjë e më shumë nga treguesit, mekanizmi, teknologjia apo ajo çka rrëfen një orë.
Me diamante, e veshur me lëkurë kombinim metalesh apo edhe gurë të tjerë të çmuar, orat rrëfejnë sot shumëçka. Në sallonin më të madh në Gjenevë, janë bërë bashkë emrat më të mirë të botës, për të prezantuar tendencat dhe idetë e reja. kritikë e njohës së mirë të këtyre mekanizmave, kanë zgjedhur pesë idetë më të mira për vitin 2019. Nuk ka vend të parë apo të dytë. Secila prej tyre është një vepër arti që kushton shumë, por që tregon edhe tendencën e re të këtyre mekanizmave të kohës.
Orat e komplikuara që tregojnë jo vetëm orën, minutat, e sekondat është alternative për njerëzit e biznesit që nuk heqin dorë nga sporti, nga regjistrimi i shumë të dhënave edhe në axhendën e dorës, apo nga alarmet.
Vacheron Constandin sjell më të mirën e këtij opsioni, ku regjistrohen data dhe përkujtesa .Modeli i dytë më i vlerësuar është ai i orës futuriste, një orë që e sjell Ressence. Është quajtur Type 2, një orë e thjeshtë në emër, por që thërret të zbulosh funksionet e saj. Kjo orë, funksionon edhe falë një aplikacioni në celular, çka e bën më të thjeshtë përdorimin e saj apo saktësinë në minutazh, apo lidhjen me pjesën tjetër të botës.
Kritikët kanë përzgjedhur edhe orën më të mirë “vintage”, për ata që mbeten klasikë në përzgjedhjen e tyre. Dhe ajo është një orë Mont Blanc.
Rikthimi i formave katrore është një tendencë tjetër. Dhe formën më të bukur të orës këtë vit e sjell sërish Vacheron Constandin. Jo katrore, si ajo e viteve ’40, por e harkuar anash dhe me një reliev fantastik. Nëse flasim për ngjyrat, pa diskutim më e bukura e vitit 2019 besohet të jetë bluja e përdorur në orat e firmës Bovet. E shndritshme dhe e pakonkurueshme e kanë konsideruar këtë ngjyrë pjesëmarrësit në panairin më të madh të orave në Gjenevë. (A2 Televizion)