
Situata në zonën e Astirit në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërkohë që po vijon shembja e objekteve përgjatë Unazës së Madhe.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, që ndodhet aty me disa deputetë të tjerë të PD-së, e cilëson aktin e sotëm “dhunë dhe terror vetëm për të futur disa miliona euro më shumë në xhepat e tyre”.
Paloka deklaroi se me ardhjen në pushtet të PD-së “këta banorë do të kompensohen me vlerën reale të tregut për çdo dëm të bërë nga kjo qeveri”.
Paloka denoncoi edhe situatën e krijuar nga forcat e rendit, që sipas tij nuk lejojnë të kalojnë “as qytetarët që kanë punën apo shtëpitë aty pranë, ndërsa për përfaqësuesit e opozitës, as që bëhet fjalë, pasi trajtohemi si armiq”.
Nënkryetari i Partisë Demokratike bëri një paralelizëm të veprimeve të Qeverisë me ato të Millosheviçit.
“Këtu nuk jemi më në Shqipërinë e vitit 2019-të, jemi në Kosovën e pushtuar nga serbët. Kemi dashnorin e Vuçiçit, e patë që u puth me të”, tha Paloka, duke iu referuar kryeministrit Rama. (A2 Televizion)