
Me anë të Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Gazment Bardhi, Partia Demokratike ka reaguar pas votimit në Kuvend të dy kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi, në një deklaratë për mediat, e cilësoi këtë votim si pjesë e puçit kushtetues të Edi Ramës kundër drejtësisë së pavarur nga politika.
“Me porosi të Edi Ramës, u vu në jetë një puç kushtetues kundër Drejtësisë së pavarur nga politika. Partia Demokratike mbështet një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të pavarur, por jo këtë që ndodhi sot. Partia Demokratike mbështet një Gjykatë Kushtetuese të pavarur nga politika, që garanton ruajtjen e parimit të ndarjes mes pushteteve, dhe mbron të drejtat dhe liritë e njeriut nga abuzimi i Qeverisë. Por Partia Demokratike dënon projektin e Edi Ramës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, në shkelje flagrante të Kushtetutës”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi më tej se “procesi i kryer nga Kryetari i KED, Ardian Dvorani, me porosi të Edi Ramës, ka sjellë një produkt antikushtetues, që eliminoi garën dhe çoi në votim fiktiv nga Kuvendi”.
“Edi Rama, nëpërmjet KED, ka paracaktuar anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj e kishte jetike kapjen e KED, të cilin e bllokoi për dy vjet, bashkë me Gjykatën Kushtetuese, derisa e mori nën kontroll me Ardian Dvoranin dhe Arta Markun. I gjithë procesi i kryer nga Kryetari i KED, Ardian Dvorani, me porosi të Edi Ramës, ka sjellë një produkt antikushtetues dhe që eliminon garën. Për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishte 12 kandidatë siç kërkon Kushtetuta, por vetëm 4 kandidatë të vlefshëm për përzgjedhje. Këta janë të njëjtët emra si për Presidentin, ashtu edhe për Kuvendin. Kjo do të thotë që për 1 vend në Gjykatën Kushtetuese, kishte vetëm 1 kandidat, dhe jo 3 siç e detyron Kushtetuta, duke paracaktuar anëtarët dhe duke e bërë votimin fiktiv”. Afati 30 ditor për Presidentin nuk ekziston në Kushtetutë, tha Bardhi. “Është alibi e ngritur nga Rama, me pasoja në funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai. (A2 Televizion)