Pandemia “ringjalli” shërbimin e postës shqiptare

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2022, 11:48 | Aktualitet
Pandemia “ringjalli” shërbimin e postës shqiptare

Periudha e pandemisë e cila rezultoi fatale për shumicën e bizneseve, nuk ishte e tillë për Postën Shqiptare. Mbyllja e të gjitha shërbimeve fizike, në Durrës, detyroi kompanitë, por edhe individët të plotësonin kërkesat apo nevojat e tyre nëpërmjet postës.

Dhe filiali i Postës Shqiptare përballoi një fluks në rritje të dërgimit të pakove dhe blerjeve online.

"Mungesa e lëvizjes dhe e mallrave ka bërë që kjo të zëvendësohej me shërbimin postar në adresën e tyre. Në këtë periudhë u plotësuan nevojat veçanërisht brenda vendit”, thotë për A2 CNN Eva Budini, drejtore e Postës Shqiptare në Durrës.

Edhe rikthimi në normalitet nuk e uli fluksin e shërbimeve të postës shqiptare, madje klientët shfaqën një besim më të madh ndaj shërbimit postar.

 "Ajo që kam kuptuar është që u rrit besimi i popullatës në shërbimin postar kështu që edhe pse rifilloi lëvizja normale e mallrave, nuk ra rënie të ndjeshme të shërbimit postar”, shton Budini.  

Përveç korrespondencës mes institucioneve me njëri-tjetrit dhe me individët që kërkojnë shërbime të ndryshme jashtë sportelit, aktualisht filiali i postës shqiptare në Durrës shpërndan edhe pensionet, si dhe ndihmën sociale në bazë të marrëveshjeve që ka edhe me institucionet lokale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos