
Pak orë para mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike dhe Këshillit Kombëtar, kreu demokrat Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët në qytetin e Elbasanit. Ai foli për zërat kritikë brenda PD-së dhe tha se pushteti dhe drejtimi i kësaj force politike buron nga anëtarët e Partisë Demokratike.
“Sa i përket zhvillimeve brenda familjes tonë. Duan s’duan kundërshtarët tanë, ne jemi një familje e madhe politike, e bashkuar jo nga interesat, as nga krimet e paraardhësve, as nga mëkatet me krimin e organizuar, as nga pazaret me oligarkët, por nga idealet me të cilat lindëm, idealet të cilat na kanë udhëhequr në rrugën tonë, jo pa gabime, jo pa të meta, jo pa probleme, por që ka për të mundur sa herë që kemi patur fatet e vendit në dorë që ta çojmë një hap përpara Shqipërinë. Në këtë shtëpi të madhe nuk ka të tepërt, ndaj çdo mendim, ide, kritikë konstruktive duhet të jetë e mirëpritur. Dhe kjo shtëpi e madhe ka një rregull të vërtetë dhe unik në aplikimin e tij, pushteti buron nga anëtarët e Partisë Demokratike, jeni ju ata që vendosni në votë përfaqësuesit tuaj dhe drejtuesit tuaj. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë shumë shpejt”.
Në fjalën e tij Basha përsëriti qëndrimin e tij për masakër elektorale në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij Rama dhe kreu i Policisë morën në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar dhe të blerë qytetarët e Elbasanit.
“Për të gjithë ata që nuk besojnë ose nuk duan të besojnë se 25 prilli ishte dita e zgjedhjeve të vjedhura nga regjimi Rama-Doshi, masakra elektorale më e madhe dhe vjedhja më e madhe e votave në 30 vite histori pluralizëm, ejani në Elbasan, dhe shikoni se si kryepolici i vendit që në fakt është kryepolici i Edi Ramës, mori në mbrojtje bandat që u sulën për të terrorizuar, për të blerë dhe për të kërcënuar qytetarët e Elbasanit me pistoletat e tyre me tyta të kromuara, të cilat nuk nguruan t’ua vënë në kokë dhe drejtuesve lokal të policisë së Elbasanit”.
Basha theksoi theksoi se demokratët do të luftojnë për rrëzimin e regjimit Rama-Doshi.
“Kush mendon se në do të biem në paqe me këtë realitet, kush mendon se ne do të ulim kokën para këtij realiteti, kush mendon se ne do të bashkëpunojmë me autorët e këtij realiteti, me Edi Ramën, dhe çirakun e tij në Elbasan e kudo tjetër, e ka gabim. Kjo nuk ka për të ndodhur. E kundërta do të ndodhë. E vetmja rrugë për të çliruar Elbasanin dhe qytetarinë e Elbasanit, për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është ajo e bashkëpunimit me regjimin Rama-Doshi, por e bashkimit e të gjithë forcave, të gjithë atyre 680 mijë shqiptarëve që na ndoqën me fuqinë e zemrave të tyre dhe çdo shqiptari tjetër që e ka kuptuar se nuk ka të ardhme për këtë vend pa u bërë të gjithë bashkë dhe pa e rrëzuar një orë e më parë regjimin Rama-Doshi”. (A2 Televizion)