
Partia Republikane ka vendosur të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese kërkesën e Komitetit të Ekspertëve për zgjatjen e masave anti-Covid, duke përfshirë këtu dhe ndalimin e aktiviteteve dhe tubimeve politike.
Në arsyetimin e PR shkruhet se nuk mund të ndalohen aktivitetet politike në prag të fushatës elektorale dhe se nuk duhet të përdoren standarde të ndryshme për të njëjtën çështje.
Sipas republikanëve, rasti më flagrant i pabarazisë është ai me letrën e kryetarit të Kuvendit dhe kthimi i përgjigjes nga zv.ministrja.
“Ne shohim standard krejt tjetër, konkretisht me qeverinë, me Parlamentin, me institucionet e lidhura me qeverinë, duket qartësisht një pabarazi në aktivitetin politik të qeverisë, të instrumenteve që ka qeveria, të institucioneve që ka qeveria, të pushtetit qendror, të pushtetit lokal, të Parlamentit, në raport me opozitën dhe aktivitetin e saj politik.
Rasti me letrën e kryetarit të Kuvendit dhe kthimi i përgjigjes nga zv.ministrja është rasti më flagrant, ku i thotë partive politike që nuk mund të bëni aktivitet politik, dhe nga ana tjetër i thotë kryetarit të Kuvendit, ju mund të zhvilloni sa herë të doni seancë, mjafton që të respektoni disa rregulla.
Si kryetari i Parlamentit, si deputetët, si partitë politike, qytetarët përballë ligjit dhe përballë Kushtetutës janë të barabartë. Pra, cenimi duhet të jetë i tillë që duhet të afektojë në mënyrë të barabartë gjithsecilin”, shkruhet në dokumentin që PR do të çojë në Kushtetuese. (A2 Televizion)