
Në emisionin Absolut 4 është diskutuar dhe për çështjen e të ashtuquajturve patronazhistë, të cilët gjatë fushatës elektorale u përmendën shumë nga opozita dhe shoqëria civile dhe shumë e cilësuan si një shkelje shumë të madhe nxjerrjen e të dhënave, e cila mund të ketë çuar dhe në deformim të rezultatit zgjedhor.
Por Arben Ristani u shpreh se një strukturë të ngjashme “patronazhistësh” e ka dhe Partia Demokratike. Sipas tij, partitë në fushata operojnë në këtë mënyrë, duke mbledhur të dhëna dhe krijuar listën e votuesve të tyre.
Ristani shtoi se problem mund të jetë vetëm mënyra sesi janë siguruar këto të dhëna dhe nëse kanë dalë nga ndonjë institucion që ka si detyrë kryesore ruajtjen e tyre.
“Rasti i quajtur i patronazhistëve për mua defektin e ka te përdorimin i të dhënave personale, tek mënyra sesi i kanë marrë apo ku i kanë marrë. Patronazhisti është në koncept një mënyrë e organizimit partiak që e ka dhe PD dhe çdo parti. Ashtu punohet dhe në PD. Kështu e kemi bërë dhe ne. Si organizim partiak është i njëjti, burimi nga i kanë marrë të dhënat është problem.
Nëse të dhënat janë gjeneruar nga institucione është e padrejtë. Partitë në fushata kështu veprojnë, kështu kemi vepruar dhe ne. Në terren operojnë seksionet. Ajo që iu kërkohet seksioneve është dosja e votuesve. Ata krehin terrenin dhe shohin kush janë të PD, kush jo, me kë duhet punuar. Telefonimi i votuesve të vetë është detyra kryesore e seksioneve”, u shpreh Ristani. (A2 Televizion)