
“Se çfarë bën Gjykata Kushtetuese, ajo është punë e saj, nuk ka rëndësi për Ilir Metën”.
Pas seancave gjyqësore, Ilir Meta zgjodhi të flasë vetë për të treguar se sa besim ka tek drejtësia kushtetuese. Mbrëmjen e së hënës, Presidenti i Republikës bëri publike përgjigjet e disa pyetjeve që kishin mbërritur në adresë të tij nga Gjykata Kushtetuese, ku mes rreshtave dha edhe qasjen se sa i paanshëm është ky proces.
“Kjo pyetje mund të jetë frymëzuar nga propaganda toksike e maxhorancës. Ne jemi për drejtësi europiane dhe drejtësi do të thotë proces i rregullt. Ky është parimi midis shtetit të së drejtës dhe shtetit të partisë”, tha Meta.
Për Ilir Metën ka pasur pasur vetëm një shkelës të Kushtetutës, që për të është maxhoranca socialiste: “Dorëzojmë padi, pasi është një gjë tepër e rëndë dhe kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë të dorëzojë pa ia kërkuar askush, një provë gjoja të re, që është një falsifikim për dhunimin e procedurave në këtë proces farsë dhe politik, që synon kapjen e institucionit më legjitim”.
I vënë përballë pyetjes nëse do të lirojë zyrën në rast shkarkimi, Meta nuk tregoi shqetësim, por qeshi me të madhe. (A2 Televizion)