
Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e rëndë në orët e mëngjesit të së dielës, ku u plagosën me breshëri automatiku një biznesmen dhe një kalimtar i rastit.
Pas hetimeve të kryera, provave të mbledhura në vendngjarje dhe kamerave të sigurisë, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Visi dhe Andrea Çaushi si dhe shtetasin Redjan Hadëri, të tre nga Tepelena, për plagosjen e biznesmenit Spiro Iljadhi dhe kalimtarit Mario Jani.
Spiro Iljadhi, pronari i një prej lokaleve më të njohur në qytetin bregdetar u qëllua me armë pranë biznesit të tij rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ai u qëllua me breshëri automatiku dhe ndodhet në spitalin e traumës në gjendje të rëndë shëndetësore. Plumbat raportohet të kenë kapur rastësisht dhe kalimtarin Mario Jani.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe pronarit të lokalit. (A2 Televizion)