
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër kreun e PD, Lulzim Basha, dhe presidentin e Republikës, Ilir Meta, për politizimin që sipas tij i bën ngjarjes së mbrëmshme në Kavajë ku mbeti i plagosur një person brenda një zyre elektorale të demokratëve.
Pasi e cilësoi Lulzim Bashën një lider të dobët që kërkon të ndjekë vijën e sjelljes së Sali Berishës, kryeministri Rama shtoi se ai së bashku me Ilir Metën po tentojnë të nxisin tensione dhe ndasi gjatë fushatës elektorale.
"Dje ndodhi një ngjarje e papëlqyeshme dhe e patolerueshme për faktin se ndodhi në sfondin e politikës së ditës, e cila nuk kishte lidhje me vetë ngjarjen. Nuk kisha pikë dyshimi që cilado të ishte e vërteta ata të cilët flasin për ndryshimin do të rendnin atje për të drejtuar gishtin e akuzës ndaj meje pa pritur as një orë që ngjarja të kuptohej se çfarë ishte. Unë pa pritur asnjë minutë thashë atë që duhet të thotë kushdo që është serioz dhe e ka seriozisht ligji që ngjarja është e patolerueshme dhe autori duhet të shkojë para drejtësisë. Lulzim Basha tha atë që mendoja që do thoshte dhe nuk tha atë që dëshiroja të thoshte. Gjithçka është e zbardhur, autori jo vetëm që nuk ka lidhje me PS-në, por është militant i PD-së në një sherr që nuk ka lidhje me politikën. Natyrisht mund të ishte një militant i PS që për të njëjtin sherr të kishte bërë atë akt, por as kjo nuk do të fajësonte PS-në.
Në atë ngjarje është plagosur një njeri ndërsa politizimi plagos gjithë shoqërinë. Në atë ngjarje është bërë një vepër penale, ndërsa politizimi i asaj është një tjetër vepër e shëmtuar morale. Si mund të jesh zëdhënësi i ndryshimit dhe vetëm zgjat zinxhirin e veprave të këqija. Ku ndryshon Basha nga Berisha përderisa vija e sjelljes është e njëjtë? Basha është një lider pa karakter që është ndjekës i vijës së sjelljes që ia kanë përcaktuar Saliu bashkë me Metën i cili rendi atje për ta bërë lajmin e disatë në vazhdën e absurditeteve të tij që kanë vetëm një qëllim të tensionojnë maksimalisht fushatën, të nxisin përplasje, të simulojnë sherr e ndasi", tha kryeministri në takimin me njësinë 5 në kryeqytet. (A2 Televizion)