
Europa ka rinisur rihapjen e kufijve të brendshëm, por paqartësitë që shoqërojnë çështjen janë të shumta. Secili vend ka kufizime dhe rregullore të caktuara, dhe për t’u ardhur në ndihmë europianëve që duan të udhëtojnë gjatë sezonit veror, Bashkimi Europian lançon platormën “Re-open EU".
Ajo do të ofrojë informacione në kohë reale mbi kufijtë, mjetet e transportit, kufizimet në udhëtime, situatën shëndetësore dhe masat e sigurisë që aplikohen në secilin shtet. “Re-open EU”, e disponueshme edhe si aplikacion, është pjesë e paketës për transportin dhe turizmin të Komisionit Europian.
Të dhënat do të përditësohen vazhdimisht, në varësi të ndryshimit të qasjes së shteteve anëtare. Për shembull Greqia tha se do te lejonte udhëtimin e lirë, pa karantinim, për shtetasit e 29 vendeve që konsiderohen si të sigurta, por me vonë e hoqi Maqedoninë e Veriut nga lista. (A2 Televizion)