Roma pa turistë, zbehen shpresat për rimëkëmbje të shpejtë të turizmit

Nga A2 CNN
15 Qershor 2020, 14:20 | Bota
Roma pa turistë, zbehen shpresat për rimëkëmbje të

Italia e ka lënë pas krahëve periudhën e errët të izolimit, duke rihapur jetën ekonomike e sociale dhe duke rikthyer lëvizjen e lirë me shtetet e Bashkimit Europian. E megjithatë, Roma e këtij mesi qershori nuk i ngjason aspak asaj që jemi mësuar të shohim gjatë një sezoni të zakonshëm veror, ndërsa shpresa për një rimëkëmbje të shpejtë të turizmit zbehet gjithnjë e më shumë.

Qyteti antik, në këtë periudhë të vitit duhej të ishte tejmbushur nga turistët, hotelet do të ishin të gjitha të prenotuara, restorantet plot me njerëz dhe rrugët të pakalueshme. Por pandemia që gjunjëzoi botën e ka ndryshuar të gjithën këtë…

Amfiteatri antik i Koloseut u rihap për publikun më 18 maj me rregulla të reja strikte të distancimit social dhe higjienës, duke lejuar vetëm një numër të kufizuar vizitorësh, vetëm përmes prenotimeve online. Në kohë normale, do të kishte pasur radhë të pafundme turistësh që prisnin me durim për të parë nga afër monumentet simbol të Italisë, por në fillim të qershorit qyteti i përjetshëm priti vetëm pak vizitorë.

Në “Via Veneto”, rruga ku u xhirua klasiku i Federicco Felinit, “La dolce vita”, hotelet luksoze si rrallëherë ishin të mbyllura, ndërsa më pare mbusheshin me turistë që kërkonin të përvetësonin pak nga filmi që ndryshoi historinë e kinemasë.  

Monumenti ikonë i “Fontana dei Trevi” ka rifituar pak nga gjallëria e humbur gjatë periudhës së izolimit, me një numër turistësh që përfitojnë nga rasti të bëjnë foto pa turmat e mëdha në sfond.  

Edhe Vatikani duket i braktisur dhe fluksi i madh i vizitorëve që dyndeshin drejt Selisë së Shenjtë, tanimë është thjesht një kujtim.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos