
Në veri të Kosovës do të votohet edhe në kontejner për zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë caktoi vetëm 19 qendra votimi për Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin. Vendimi është marrë në bazë të vlerësimeve të organeve të sigurisë dhe nga konstatimi se vetëm 6 qendra mund të hapeshin në lokacionet e mëhershme, nga 44 që ishin gjithsej.
“Duke u bazuar në vlerësimin të organeve të sigurisë, por edhe KKZ-ve është konstatuar se vetëm gjashtë qendra të votimit mund të hapen në lokacionet e zakonshme. Ndërsa, 13 qendra të votimit do të jenë qendrat alternative apo thënë ndryshe në kontejnerë të cilat do të sigurohet nga institucionet të tjera. Pra nga 44 qendra të votimit që ka marrë vendim KQZ-ja në 1 mars, ky numër zvogëlohet në 19 qendra të votimit në këto katër komuna”, tha Arianit Elshani, kryesuesi i këshillit për operacione zgjedhore.
Propozimi për krijimin e qendrave alternative erdhi nga hezitimi për hapjen e vendvotimeve në shkolla në katër komuna veriore për shkaqe sigurie. Një tjetër vendim i KQZ-së ishte ai për printimin e 43 mijë fletëvotimeve për zgjedhjet e 23 prillit. Lidhur me këtë proces ka folur edhe ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë raportimit në komisionin parlamentar për integrime europiane.
“Unë jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundoj i qetë, i suksesshëm”, tha Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm i Kosovës.
Sveçla nënvizoi se policia dhe e gjithë ministria e brendshme është në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e procesit.
“Nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave atje por edhe të refuzimit të Listës Serbe, është e qartë që segmente të caktuara atje të mbështetura nga Serbia refuzojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe refuzojnë demokracinë atje”.
Ministri i brendshëm foli dhe për gjendjen e sigurisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke nënvizuar se situata atje nuk ka qenë asnjëherë e mirë. Sipas tij, gjendja është përmirësuar pasi atje ka prezencë të strukturave të sigurisë si kurrë më parë. (A2 Televizion)