Policia zbulon “shtëpinë e barit” në Laç, arreston dy persona, një në kërkim

Nga A2 CNN
24 Mars 2022, 10:04 | Kronikë

Policia ka zbuluar një shtëpi që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në Laç, nëpërmjet ngrohjes me llamba, si dhe një sasi lënde narkotike.

Gjatë operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: D. G., 28 vjeç, banues në Kurbin, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Y. P., 24 vjeç, banues në Burrel, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Fushë Milot, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të banesës së shtetasit Y. P., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit në banesë u konstatua se këta shtetas kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, si dhe kishin ndërtuar një dhomë shtesë, pa leje. 

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", shtetasi Xh. N., 53 vjeç, banues në Milot, Kurbin, me detyrë faturist pranë OSHEE Kurbin, pasi dyshohet se ka lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që furnizonte ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.  

Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan 271 bimë të dyshuara narkotike kanabis të kultivuara në vazo, 2 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për kultivimin e bimëve narkotike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos