Pranga 38-vjeçarit në Lezhë, iu gjetën 2 mina me telekomandë

Nga A2 CNN
30 Korrik 2021, 09:08 | Kronikë

Policia e Lezhës goditi një rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë dhe vuri në pranga një 38-vjeçar për mbajtje pa leje dhe prodhimin e armëve shpërthyese dhe municionit.

Pas një hetimi 3-javor, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar "Miloti", si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. O., 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e shtetasit B. O. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, të lidhura me aparat celular, një thikë që plotëson kushtet e armës së ftohtë, 1000 euro dhe aparate celularë.

Po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos