Pas publikimit të të dhënave të pagave të mbi 650 mijë personave, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për “shpërdorim detyre” dhe “ndërhyrje në sistemet kompjuterike”. A2 CNN ka mësuar se prokuroria ka dërguar grupin hetimor për të kryer veprime në tre institucione, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe në Drejtorinë të Përgjithshme të Tatimeve.
Paraditen e së mërkurës Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin e rastit. Burime pranë kësaj prokurorie konfirmuan se një grup qytetarësh paraqitën një kallëzim ku kërkonin hetimin e publikimit të të dhënave të tyre personale.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës ka në duar edhe hetimin për “patronazhistët”, i përcjellë nga SPAK, lidhur me publikimin e të dhënave personale të 900 votuesve. Për këtë çështje hetimi ende nuk ka gjetur një përgjegjës.
Nëntë muaj pas skandalit të “patronazhistëve” një tjetër rrjedhje masive të dhënash personale ka tronditur opinionin publik në vend, pas publikimit të pagave të shqiptarëve, por edhe të huajve rezidentë në Shqipëri, përfshi pagat e tyre në sektorin shtetëror apo privat.
Lista në formatin “Excel” mban emërtimin “Rrogat janar 2021”, ndërsa të enjten nisi të qarkullonte edhe një tjetër listë në të njëjtin format, me emër “prill 2021”. Në të dy këto lista janë shkruar emrat dhe mbiemrat e qytetarëve, numri i kartës së identitetit, kompania ku punon, madje edhe numrin e orëve të punës.

Në emrat e listuar nga më i paguari tek më pak i paguari gjenden emra biznesmenë, politikanësh, zyrtarësh shtetërorë, pedagogë, mjekë, punonjës krahu, por edhe agjentë të policisë, apo të Shërbimeve Informative.
Kryeministri Edi Rama, reagoi këtë të enjte lidhur me ngjarjen, duke e quajtur një përpjekje për destabilitet. Ai tha se sulme të tilla ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara, madje rregullisht, dhe kjo nuk do të ngadalësojë procesin e digjitalizimit. Kur A2 CNN e pyeti nëse drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, do të jepte dorëheqjen nëse hetimi tregon se databaza ka dalë nga e-Albania, kreu i qeverisë tha se SHBA-së i dolën të gjitha sekretet dhe nuk pati dorëheqje.
Për ngjarjen kanë reaguar edhe aktorë të tjerë politikë. Presidenti Meta kërkoi hetimin sa më të shpejtë, ndërsa Sali Berisha tha se lista është lejuar të publikohet nga vetë Rama, për të tërhequr vëmendjen nga hetimi i çështjes së inceneratorëve.
(A2 Televizion)