
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në mbështetje të banorëve të rrugës “5 maji” në kryeqytet, të cilët protestojnë kundër vendimit të qeverisë për shembjen e banesave të tyre në kuadër të procesit të rindërtimit. Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi qeverinë si pushtuese dhe tha se dokumenti që u ofrohet banorëve nuk është marrëveshje, por vetëdeklarim që ka në bazë vjedhjen dhe mashtrimin.
“Drama që zhvillohet sot në Tiranë me banorët ndaj të cilëve në kohë qeveria sillet si pushtuese është dramë që ka në bazë vjedhjen dhe mashtrimin. Kam studiuar me vëmendje dokumentin që u ofrohet banorëve, është fund e krye mashtrim, nuk përbën marrëveshje, por akt vetëdeklarimi para noterit, ndërkohë që një marrëveshje mes palëve kërkon firmën e palëve dhe noterizimin e këtij dokumenti. Kërkon firmën e titullarit, "Lal Plehut" zëvendësit të tij ose personit të autorizuar me prokurë nga titullarët. E kam në çantë këtë pseudomarrëveshje që u serviret banorëve për t’i mashtruar ata. Një territor u jepet disa kompanive për t’u zhvilluar. Në gjithë Tiranën, kompanitë kanë zhvilluar territorin kundrejt marrëveshje dhe ju nuk keni parë kurrë protesta të kësaj natyre. Këtu ndodh kjo se është dora e zezë e vjedhjes së qeverisë se këtu nuk lejohet që atë që duhet t’u jepet banorëve në përqindje të madhe, e përvetëson bashkia e qeveria dhe zhvilluesve nuk u ngelet asgjë”.
Berisha e konsideron këtë një veprim çnjerëzor dhe shprehet se babëzia e qeverisë ka kapur qiellin. Sipas tij, qeveria po i mashtron banorët më duke u kërkuar vetëdeklarimin të noterizuar.
“Babëzia në këto afera ka kufi vetëm qiellin, kanë rritur kullat nga 7-35 kate, kjo nuk i lejon qeveritarët të firmosin marrëveshje me banorët që u prishin shtëpitë për t’u sistemuar, por i mashtron duke u kërkuar një vetëdeklarim të noterizuar. Ky është akt çnjerëzor dhunim i të drejtave të qytetarëve dhe megavjedhje me kulla 30-katëshe që ndërtohen në trojet e tyre.”
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të dalin në mbështetje të këtyre banorëve me qëllim që të mos ndodhë e njëjta gjë edhe me pronat e tyre.
“Në çdo vend ekziston ligji i posedimit të pronës që zotëron të gjitha të drejtat e pronarit dhe pronari dëmshpërblehet. Në këtë rast qeveria, para bashkisë së Tiranës në mënyrë që t’i shpallë të paligjshëm dhe pse kanë 20 vjet, të marrë katet që do për vete, sillet në këtë mënyrë ndaj banorëve. Unë mbështes protestën, u bëj thirrje qytetarëve që të solidarizohen se kjo që po u ndodh atyre, mund të ndodhë në çdo derë e shtëpi”. (A2 Televizion)