
Ukraina përballet me sulme të ashpra ruse. Ndërkohë vijnë raportime nga mediat amerikane, se SHBA ka negociuar një plan paqeje me Rusinë - pa pjesëmarrjen e Kievit.
Sipas raportimeve të disa mediave, udhëheqja amerikane nën Presidentin Donald Trump ka hartuar fshehurazi një plan të ri me Moskën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Drafti i planit kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina e sulmuar, dhe iu përgjigjet kryesisht kërkesave të Rusisë ndaj Kievit, raportoi Financial Times.
Sipas planit, Ukraina do të duhej të tërhiqej plotësisht nga rajonet e kontestuara të Donetskut dhe Luhanskut dhe të pranonte kufizime si zvogëlimin e ushtrisë së saj. Financial Times thekson, se ka cituar burime të përfshira në negociata.
Ukraina me gjasa e informuar mbi planet
Kurse portali i lajmeve në Uashington "Axios" raportoi se duket se ky plan është negociuar në fund të tetorit nga i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe përfaqësuesi i Moskës, Kirill Dmitriev. Sipas raportit, Witkoff e ka informuar kreun e Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, Rustem Umyerov, për planin. Sipas "Axios" në bisedime duket se kanë marrë pjesë si Turqia edhe Katari,
Për të diskutuar mbi planet, njoftohet se edhe një delegacion ushtarak amerikan ka udhëtuar në Kiev. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, raportoi një takim me Daniel Driscoll, Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së për Ushtrinë. Sipas raportimeve të mediave amerikane, përveç Driscoll, delegacioni përfshin tre gjeneralë dhe oficerë të tjerë që pritet të takohen edhe me presidentin Volodymyr Zelensky.
Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore kundër Ukrainës - Forcat e shpëtimit heqin rrënojat në Ternopil pas sulmit rus, 19.11 2025Fotografi: State Emergency Service of Ukraine/Handout via REUTERSPor në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se nuk kishte propozime të reja midis Rusisë dhe SHBA-së për t'i dhënë fund luftës. Marrëveshja e arritur nga shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, dhe Trump në samitin e tyre në Alaska në gusht mbetet në fuqi, sipas Peskov.
Ndërkohë Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore kundër Ukrainës perëndimore, duke vrarë të paktën 25 persona, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Trump kohët e fundit ushtroi presion mbi Moskën duke vendosur sanksione ndaj kompanive të naftës Rosneft dhe Lukoil. Ushtria ruse pushtoi Ukrainën në një front të gjerë më shumë se tre vjet e gjysmë më parë me urdhër të Putinit./ DW (A2 Televizion)
